Rezoluta e Asamblesë, 6 Mars 2010.pdf



REZOLUTË


Drejtuar: Qëndrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Shoqatave homologe


Ditën e Shtunë, Datë 06/03/2010, Ora 11:00 u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë "Lumière" në të cilën u vendos: 


  1. 1.Nisur nga vullneti pozitiv për funksionimin e Kinematografisë Shqiptare sipas ligjeve në fuqi dhe standarteve e formulave integruese europiane, SHKSHL vendosi t’i drejtohet QKK-së dhe shoqatave homologe, me kërkesën për një vizion të qartë politikash dhe transparencë dokumentacioni që bën që QKK dhe shoqatat kinematografike të jenë funksionale e të afta për të marrë pjesë në ndërtimin e bordeve dhe vlerësimin e politikave dhe projekteve kinematografike.  Në bazë të Ligjit Nr. 8789 dt 7/5/2001, për rregjistrimin e Organizateve Jofitimprurëse, Ligjit 8788 dt 7/5/2001 për  Organizatet Jofitimprurëse, si dhe Ligjit të Kinematografisë, Nr. 8096, dt 21/3/1996, depozitimi dhe afishimi publik në QKK i akteve juridike të njohjes nga gjykata e rrethit Tiranë e shoqatave kinematografike dhe anëtarësive përkatëse të tyre, është i obligueshëm, për të legjitimuar funksionet dhe detyrat që ato marrin përsipër të kryejnë në borde dhe në politika kinematografike. Aktualisht në faqen zyrtare të QKK-së nuk është i afishuar asnjë dokument jurdik, ku citohet qoftë dhe një vendim gjykate për asnjë shoqatë dhe pse anëtarë të tyre kanë marrë pjesë në borde duke marrë vendime të rëndësishme për, dhe në projekte të realizuar gjatë këtyre viteve.


Kjo pikë detyron të gjithë specialistët e kësaj fushe të marrin përgjegjësi dhe të respektojnë anëtarësimin vetëm në njërën nga shoqatat, pasi shoqatat në fjalë kanë të njëjtin objekt, zhvillimin e Kinematografisë dhe Produksionit filmik në Shqipëri.


Këto shoqata citohen në ligj si shoqata kinematografike dhe si të tilla i referohen konceptit të kineastit krijues e autor të njohur si të tillë për cilësitë që ata mbartin. 

Nëse QKK nuk merr në konsideratë këtë aspekt kapital të ligjit, atëherë ajo nxit një politikë copëzimi dhe jotransparence brënda vetë shoqatave të kineastëve, duke i çuar ato në përçarje “të rinjsh” apo të “vjetërish” duke mos marrë në konsideratë aftësitë krijuese të secilit.


  1. 2.Variantet dhe vendimet për strukturën e bordeve duhet të burojnë nga vendimet e përbashkëta të grupimeve të interesit dhe jo nga QKK. Pra, shoqatave të kineastëve, të cilat në bazë të ligjit duhet të përbëhen nga autorë, praktikisht u lind nevoja e formimit të një Forumi formal e të përhershëm me përfaqësinë të shoqatave legjitime.


    1. Ky Forum formal, krijon bazën e nevojshme për konceptin profesional mbi të cilin duhet të ngrihen dhe funksionojnë këto shoqata. Forumi shmang fragmentarizimin e mëtejshëm në shoqatëza që dëmtojnë  haptazi intersat e Kinematografisë Shqiptare dhe i reduktojnë ato në koncepte abuziviste të ndarjes së parave të taksapaguesve. 


    1. QKK me politikat e veta duhet të çojë drejt konvergimit të interesave të kineastëve dhe kinematografisë dhe jo në divergimin dhe shëndrimin e tyre në grupe të mbyllura interesash.


    1. Lidhur me politikat transparente të QKK-së, kërkojmë të afishohen në faqen zyrtare të QKK-së jo vetëm financimet vjetore të kryera, por të gjitha financimet e kryera për çdo shtëpi filmike nga viti 1996 e deri më sot.


    1. Kjo transparence do evidentojë qartë për të gjithë jo vetëm përdorimin e fondeve publike por dhe dinamikën e zhvillimit dhe identifikimin e cilësive të veprave dhe shtëpive filmike që i kanë realizuar ato. Grafikët e shpenzimeve dhe të ardhurave nga viti në vit afishohen prej të gjithë institucioneve private apo publike në Shqipëri, përse jo nga një institucion kulturor buxhetor sikurse është QKK.


Kjo rezolutë propozon që pesë përfaqësues nga çdo shoqatë e njohur juridikisht dhe profesionalisht, të takohen në sallën e kinemasë së Akademisë së Filmit Marubi, në Kinostudio (ose diku tjetër) të shtunën dt 13 Mars,në orën 10.30, për të reflektuar mbi mënyrën si do të funksionojnë më tej marrdhëniet mes shoqatave të kineastëve dhe QKK-së.


Në rast se pranohet ideja e një Forumi të tillë, SHKSHL dëshiron dhe do të mirëpresë argumentimet dhe motivimet më të plota të përfaqësive të shoqateve për të dalë me një konkluzion të përbashkët që na bashkon dhe nuk na përçan.  


Jemi në pritje të miratimit të kërkesave që parashtron kjo rezolutë dhe në funksion të saj SHKSHL, do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm publik ndaj politikave dhe intresava të përbashkëta të zhvillimit të Kinematografisë Shqiptare.


Me respekte


Kryetar i SHKSHL


Kujtim Çashku



Rezoluta e Asamblesë, 6 Mars 2010.pdf